HomeLajme / Вести

Vetëm në 2023 në Strugë u mbyllën 154 biznese, tjerat mezi mbijetojnë, OEMVP: Qyteti është anashkaluar nga plani ekonomik i shtetit

Rritja e kostos së jetesës, dominimi i tregut nga kompani gjigande dhe mbi të gjitha zbrazja e qytetit nga migrimi i të rinjve ka bërë që të mbyllen shumë biznese të vogla në në Strugë, ndërsa ato që vazhdojnë të veprojnë në treg thonë se ia dalin me shumë vështirësi. Gjatë vitit 2023 në Strugë u mbyllën 154 biznese. Shumë pak interesim ka nga të rinjtë mësimi dhe zhvillimi i zejtarisë në këtë qytet. Nga OEMVP vlerësojnë se RMV është shembulli tipik se si nuk duhet të ndërtohen fundamentet për rritje dhe zhvillim ekonomik, shkruan Portalb.mk.

Regresi i zhvillimit ekonomik po thellohet gjithnjë e më shumë në qytetet e vogla në mbarë vendin. Shkak për këtë janë një sërë faktorësh, megjithatë lista kryesohet nga ulja e qarkullimit si pasojë e largimit masiv të qytetarëve drejt perëndimit. Struga është një nga qytetet në Maqedoninë e Veriut, popullsia e të cilës është tkurrur dukshëm ndër vite. Sipas regjistrimit të vitit 20o2, në Komunën e Strugës ka pasur mbi 63 mijë banorë ndërsa regjistrimi i fundit i popullsisë nxori në pah se popullsia në këtë komunë është zvogëluar ndjeshëm, aktualisht në Komunën e Strugës jetojnë 50 980 banorë. Ky realitet ka ndikuar që të vështirësohet, po edhe në shumë raste të pamundësohet ekzistenca e shumë bizneseve në këtë qytet.

Blenda Lufi është pronare e një biznesi të vogël në Strugë. Ajo për Portalb.mk thotë se këtë vit puna e tyre ka rënë shumë krahasuar me vitet e kaluara.

“Për bizneset e vogla ekzistenca është bërë shumë e vështirë. Ne kemi shumë vite në treg dhe e kemi krijuar klientelën tonë të rregullt por nëse bëjmë krahasimin e shitjeve mes viteve të kaluara dhe këtij viti, mundet të them se shitjet janë dukshëm shumë më të ulëta. Këtu afër, kohë pas kohe janë hapur dyqane të reja por që shumë shpejtë mbyllen sepse nuk munden as ti mbulojnë harxhimet mujore e jo më të sigurojnë profit”, thotë Blenda pronare e një dyqani për tesha.

“Nga ajo që shikojmë dhe analizojmë ne faktorët kryesor që kanë ndikuar në rënien e punës tonë po dhe shume bizneseve tjera këtu në Strugë janë: çmimet e larta të të dhënave mujore, përfshirë këtu qiratë e larta, taksat e shtetit, faturat e larta të rrymës dhe shërbimeve tjera komunale, e kështu me radhë. Një problem të madh përbën dhe largimi i të rinjve, të cilët janë fuqia jonë blerëse kryesore. Dhe padyshim një faktor tjetër i rëndësishëm është dhe rritja e kostos së jetës ndërkohë që rrogat janë aq të ulëta sa mezi mbulohen shpenzimet bazike për ushqim e pagesat mujore. Njerëzve nuk ju mbesin para për shpenzime tjera shtesë”, shtoi Blenda për Portalb.mk.

Sipas të dhënave të publikuara në portalin ekonomik “Paratë”, gjatë vitit 2023 në qytetin e Strugës iu vu çelësi 154 bizneseve.

Nga ana tjetër, në Strugë gjithnjë e më shumë zvogëlohet dhe numri i zejtarëve. Shumë dyqane dhe punëtori zejtarësh po mbyllen përgjithmonë. Numri i zejtarëve të regjistruar në Strugë është përafërsisht 150-160.

Zejtarët thonë se po përballen me shumë vështirësi, për shkak të krizave të një pas njëshme. Kujtim Ajdo, kryetar i shoqatës së zejtarëve në Strugë thotë një pjesë të madhe të zejtarive vetëm sezoni veror i mban sado pak gjallë dhe se të gjitha shpresat për ti mbuluar shpenzimet vjetore por dhe për të siguruar sado pak profit i kanë të varura nga sezoni kur dhe rritet qarkullimi i njerëzve në qytet falë ardhjes në vendlindje të shumë mërgimtarëve.

“Në fakt numri i zejtarëve lëviz vazhdimisht sepse ka ndërprerje apo mbyllje kohë pas kohe. Gjatë muaj shtator dhe tetor ka pasur regjistrime të reja të zejtarive në Strugë si rezultat i granteve të pakthyeshme që ndahen nga Agjencia për punësim. Numri më i madh i zejtarive që hapen përmes këtyre granteve janë sallone bukurie kryesisht për femra. Përgjithësisht të rinjtë kanë shumë pak interesim për mësimin e zhvillimin e zejtarive në qytetin tonë. Ka dallim shumë, në sezon kemi punuar shumë mire por që për fat të keq nuk zgjatën shumë, zgjat vetëm një muaj e gjysmë gati, kurse pjesa tjetër është shumë dobët me punë. Është shumë dobët në dimër dhe me vështirësi e kalojmë”, u shpreh për Portalb.mk Kujtim Ajdo, kryetar i shoqatës së zejtarëve në Strugë.

Strugë, mars 2024/ Fotografuar nga Sh.A – Portalb.mk
OEMVP kritikon politikat e zhvillimit ekonomik në RMV
Lidhur me ngecjen e e zhvillimit ekonomik në qytetet e vogla nga OEMVP vlerësojnë se “Republika e Maqedonisë së Veriut është shembulli tipik se si nuk duhet të ndërtohen fundamentet për rritje dhe zhvillim ekonomik, ku për fat të keq kemi një disproporcion të skajshëm të zhvillimit mes rajoneve planore të vendit”.

“Në tërësi si shtet, përballemi me një mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore ndërkaq në plan të zhvillimit të qyteteve nga rajonet e ndryshme nuk kemi se si të mos përmendim mungesën e infrastrukturës për çdo vend pavarësisht karakteristikat me të cilat ai vend korrespondon. Struga si qytet turistik, përballet me mungesë të infrastrukturës adekuate e cila është një pengesë serioze për ta bërë atë qytet edhe më atraktiv për vizitorët. Mungesa e infrastrukturës atë e penalizon edhe nga një e drejtë e cila është universale për të gjitha qytetet pa dallim, e ajo është krijimi i mundësive për biznes duke pasur parasysh që ky qytet gëzon edhe pozitë gjeografie të volitshme duke qenë se është shumë afër portit të Durrësit, por që mungesa e autostradave adekuate e pamundëson kapitalizimin e kësaj mundësie të shkëlqyeshme me të cilën korrespondon. Nuk duhet të trajtohet nga shteti vetëm si qendër turistike por duhet të shndërrohet në vend joshës për investime. Por gjithë kësaj duhet të i paraprijë një punë e madhe mbi ndërtimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e ndërlidhshmërisë me qytetet dhe viset tjera për të i dhënë avantazh afarist kohor sa i përket aspektit operativ të bizneseve”, deklaruan për Portalb.mk nga OEMVP.

Nga OEMVP shtojnë se realisht Struga ka shumë potencial për zhvillim megjithatë ky qytet është anashkaluar nga nga plani ekonomik i shtetit.

Se ky qytet ka potencial, tregojnë edhe të dhënat e shumta demografike, ku ky qytet ka një numër të konsiderueshëm të mërgimtarëve të cilët me remitencat e tyre gjallërojnë këtë pjesë të vendit. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është e bindjes se shteti duhet të krijojë mekanizma dhe strategji për të konkretizuar dhe kapitalizuar remitencat e bashkëqytetarëve që vijnë nga mërgata, nëpërmjet stimulimit të investimit nga ana e tyre, me qëllim që të nxisin një konkurrueshmëri të shëndoshë ekonomike. Sipas statistikave të fundit, sot qyteti i Strugës numëron afër 19,123 banorë me pak, të cilët janë shpërngulur nga vendi, dhe kjo statistikë shpjegon më së miri se si është anashkaluar ky vend nga plani ekonomik i shtetit”, shtojnë nga OEMVP.