Denoncimi juaj / Ваша пријаваHomeLajme / ВестиQyteti / Град

Nxënësit e fillores mësojnë 3 javë pa ngrohje, janë harxhuar drutë e shkollës!

Situatë alarmante në objektin e vjetër të Shkollës Fillore “Vëllezërit Milladinov” në Strugë. Prej tre javësh nuk ndizet zjarri si pasojë e mungesës së druve. Nxënësit mësojnë në të ftohtë, ndërsa sa ka efekt ky lloj mësimi këtë mund ta imagjinoni.
Rreth 300 nxënës të klasave të dyta, të treta dhe të katërta nga paralelet në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke si dhe dy paralele me nxënës me nevoja të veçanta, po ngrijnë së ftohti në këto ditë kur temperaturat kohore kanë rënë sërish.
Siç mëson VOX Struga, e vetmja masë që është marrë nga udhëheqësia e shkollës nga dita e djeshme është shkurtimi u orëve mësimore, por kjo sipas mësimdhënësve nuk e zgjidh problemin.

“Prej tre javësh nuk kemi ngrohje. Kemi kërkuar të merren masa, por na thanë se nuk ka dru dhe do vazhdojmë kështu. Është e dhimbshme ti shohësh fëmijët të dridhen nga i ftohti, sidomos gjatë ndërrimit të parë. Shpesh sjellim dru edhe nga shtëpia për ta ndezur zjarrin” – thonë për VOX Struga-n disa mësues të cilët ne i kontaktuam.

Kanë reaguar edhe disa nga prindërit. Në adresën tonë kanë ardhur ankesa prej disa prindërve, të cilët thonë se do të detyrohen ti ndalin fëmijët në shtëpi. Objekti i shkollës është i vjetër dhe i ftohtë. Trupi i fëmijëve 8 vjeçarë nuk mund ta përballojë atë të ftohtë, sidomos në rri ulur për të paktën 4 orë të procesit mësimor.

Në këtë objekt mësojnë edhe dy paralele me nxënës me aftësi të veçanta, të cilët sipas mësuesëve nuk dinë të thonë dhe të ankohen nga i ftohti.
Nga ana tjetër, objekti tjetër i kësaj shkolle ngrohet përmes sistemit me ngrohje qendrore me anë të naftës dhe siç mëson VOX Struga, atje nxemja punon pa ndalesa dhe ambientet janë të ngrohta.
Peridha e ngrohjes së ambienteve të shkollës duhet të zgjasë deri më 15 Prill, por tek objekti i vjetër sezoni i ngrohjes ka përfunduar disa javë më herët.
Përndryshe, do të presim sqarim edhe nga organet komunale për këtë situatë. Pse nuk janë siguruar drutë e nevojshme për ngrohje gjatë gjithë periudhës së paraparë?
Së fundmi, janë shtuar akuzat ndaj administratës lokale dhe kreut të saj, Ramiz Merko se po jeton jetë luksi duke harxhuar mjetet e qytetarëve, duke blerë edhe veturë të modelit të fundit, ndërsa nga ana tjetër nxënësit 8 vjeçar po ngrijnë në ambiente të ftohta shkollore.
/VOX Struga/