HomeLajme / Вести

Diaspora për Strugën reagon kundër guroreve në Llabunisht, akuzon pushtetin

Kur Oligarkët kërkojnë atë që u është premtuar, gjithë shteti ngrihet në këmbë kundër popullit të pafajshëm!

Kjo ndodh në fshatin Llabunisht këto ditë, kur Oligarku Rade nga kompania ILINDEN SHA, po merr drejtësinë në duart e veta dhe kërkon të implementojë atë që nëna parti, LSDM ia ka dhënë për meritat që ka në buxhetin partiak.

Në Llabunisht sëmundjet kancerogjene dhe sëmundjet e mushkërive janë shumëfishuar në krahasim me pjesën tjetër të rrethinës së Struges, si pasojë e biznesit vdekjeprurës për fshatrat dhe natyrën e bukur të malit Jabllanicë. Ky biznesi vdekjeprurës është pikërisht ai i “guroreve” që mbush xhepat edhe të partive.

Në malin e Jabllanicës, mbi fshatin Llabunisht dhe fshatrat përreth, në vend që banorët për shkak të natyrës së bukur dhe pyjeve, të kenë shëndet të plotë dhe jetëgjatësi më të madhe, ndodh e kundërta. Aty ka vdekje dhe trishtim. Vdesin foshnja, fëmijë, nëna dhe baballarë nga sëmundjet e shumta të shpërndara nga deponitë që digjen dhe guroret që kanë rrethuar fshatin.

Oligarku i LSDM-së, Rade Ilindeni kërcënon me padi penale dhe u bën presion të vazhdueshëm llabunishtarëve që të mos e pengojnë aktivitetin e tij në dëm të banorëve. Atij po i prishet plani për të përfituar në kurriz të shëndetit të llabunishtarëve si dhe plani që Zoran Nasradini ia ka dhënë, për të shkatërruar atë tokë të bekuar.
Të këqiat e këtij klani nuk mbarojnë me kaq, pasi që edhe Ramis Pashai, ashtu si Esad Pasha, për një çik pushtet, ka nënshkruar Memorandumin vdekjeprurës për struganët. Ai ka nënshkruar që tokën e Spitalit t’ia falë Rade Ilindenit vetëm në këmbim të pushteti lokal. Kështu ka tradhëtuar edhe oligarkët e vet duke i lënë ata me gisht në gojë.
Tani të gjorët e kanë kuptuar, por është tepër vonë sepse Pashai po dorëzon kompetencat tek Qeveria Laramane, me qëllim që të realizohen planet e dakorduara më herët gjatë fushatës zgjedhore.
Duart larg nga pasuria e popullit!

Në fillim qytetin, tani Llabunishtin, po nesër kush do të dëmtohet?!
Ky dëm që po shkaktoni nuk është mirë as për shqiptarët, as për maqedonasit, as për muslimanët e as për të krishterët.

Diaspora për Strugën