HomeLajme / ВестиSport / Спорт

Blerton Sheji “Luçi”, merr ftesë nga trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare!

Ylli strugan, futbollisti i FC Struga Trim Lum, Blerton Sheji i njohur për tifozët si Luçi, po ngjit shpejtë shkallët e karierës. 18 vjeçari nga Veleshta muaj më parë u ftua nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit për ekipet ndër 21 vjeç, ndërsa performancat e tij të shkëlqyera i kanë siguruar Luçit një vend në Ekipin A të Kombëtares.
Kjo është hera e parë që një futbollist nga Struga të bëhet pjesë e ekipit kombëtar. Sheji luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe shihet si një talent i rrallë dhe me të ardhur të ndritur në futbollin vendas. Me paraqitjet e tij mbresëlënëse dhe shpirtin luftarak, Luçi të jep përshtypjen se është një lojtar me shumë vite përvojë, pavarësisht se është vetëm 18 vjeç. Ai është shndërruar në ikonë të ekipit strugan Struga Trim Lum, me të cilin këtë vit arritën të shpallen kampionë në Ligën e Dytë dhe prej vitit të ardhshëm do të garojnë në Ligën e Parë të Futbollit në Maqedoninë e Veriut, raporton VOX Struga.
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit së fundmi ka caktuar trajner të ri, Edi Rejan, italianin me përvojë të madhe si trajner, i cili njihet edhe si trajner me disiplinë dhe që kërkon shumë nga lojtarët e tij. Blerton Sheji me paraqitjet e tij siç duket ia ka mbushur syrin Edi Rejas, i cili e ka ftuar në grumbullimin e ardhshëm të Kombëtares Shqiptare.

VOX Struga i uron Luçit suksese të reja.