Kulturë / Култура

Për Strugën

Për Strugën
(si orakulli)

Dritat e shtëpisë mund t’i fikësh,
nga Struga edhe mund të ikësh,
ëmbëlsitë e botës mund t’i shijosh,
po mallin për qytetin s’ke ku ta çosh.

Do të mungojnë llafet e të palarat,
endacakët, gjuha vulgare e të sharat,
guralecët dhe kallamishtet flori,
Liqeni dhe Drini i Zi, të rralla bukuri.

Për çdo lagje e për çdo cep nostalgji,
për vendin tënd dhembje e dashuri,
do të të mundojë e tundojë trishtimi,
do të të plakin hidhërimi e pikëllimi.

Zgjidhja është komplekse, ndaj e themi,
ta pleqërojmë se ku do rrimë e ku do vemi,
nëse e duam mirë qytetin ku kemi lerë,
le t’u japim udhë gjërave me vlerë.

Galopthi të rendim e të ndërgjegjësohemi,
nga kulari i mujsharëve të çlirohemi,
vendi ynë, Struga jonë, nga ne pret,
çdo qytet ka lezet me qytetarët e vet.

© Xhemi Hajredini

Këtë poezi dhe mbi 100 të tjera, por jo vetëm poezi, mund t’i gjeni në dy veprat “Vit i brishtë (2020)” dhe “Fre gjuhës kur fle koka (2023)”.