Sport / Спорт

Pas kthimit nga Antalia, FC Struga Trim Lum vijon me përgatitjet e fundit në Strugë

Ekipi i FC STRUGA Trim Lum të shtunën është rikthyer në Strugë, aty ku do të vijojë me fazën e fundit të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror. Në Antalya të Turqisë qëndruan plotë dy javë, duke mbushur në maksimum motorët për në pranverë, aty ku i pret një garë e ashpër për titullin e kampionit.

“Futbollistët tanë kanë lënë pas dy fazat përgatitore në të cilat u punua në Strugë dhe Antalia të Turqisë, ndërsa përveç seancave stërvitore dhe punës në planin tekniko taktik e fizik, deri më tani kemi zhvilluar edhe katër ndeshje kontrolluese (1 në Strugë dhe 3 në Antalia) në të cilat ekipi manifestoi ngritje graduale të formës, pavarësisht rezultateve ndoshta jo të dëshiruara, por që realisht ishin në plan të dytë. Në Strugë në ndeshjen e parë të këtij viti, mundëm Karaormanin, ndërsa në Turqi, barazuam ndaj skuadrës polake të Arka Gdynia, derisa u mundëm nga rusët e Orenburg dhe polakët e LKS Lodz. Të shtunën skuadra është rikthyer në Strugë, ndërsa nga dita e martë ekipi kthehet në stërvitje, për të përmbyllur edhe fazën e tretë dhe të fundit para startit të gjysmësezonit pranveror”, thonë nga FC Struga.

Para ndeshjes së parë zyrtare të vitit 2024 kundër Rabotniçkit në Shkup (18 shkurt), trajneri Shpëtim Duro me datë 10 shkurt do të ketë edhe testin e fundit kundër Tikveshit, përmes së cilës do të ketë një pasqyrë edhe më të mirë 11-shes startuese.