HomeKulturë / Култура

Me liqenin…

I mbështetur te një varkë,
(e kthyer kokëposhtë në breg)
pa kamera vëzhgimi,
rri dhe vështroj gjolin magjepsës,
me pamje të një vaske të madhe me ujë,
të një djepi të qetësisë,
diell jugu e rreze shprese,
që të falë paqe e ngrohtësi,
valë ndjenjash, për zemrën poezi…
Mbi një pamje magjike, ndaloj sytë,
si spektator në amfiteatër,
ndiej bisedën e shtruar mes ujit dhe qiellit,
dhe buzagaz, unë dhe liqeni,
të gjitha zhurmat sikur t’i kishim gëlltitur,
qëndrojmë të heshtur…
Sa me fat ne njerëzit,
pranë ujit që jetojmë…
Kur mendimet na trazohen,
mbyllim sytë e meditojmë,
hamë çaste me liqenin,
rikthehemi e ëndërrojmë,
kthjellojmë idetë e udhëtojmë.
Koha nuk ka breg,
e ju s’keni port e shteg,
ndaj nxitoni dhe gëzoni,
nga agimi deri në perëndim,
(me liqenin) dashuroni!

Strugë, 29 mars 2023
© Xhemi Hajredini
(foto nga Jetmir Selimi)