Denoncimi juaj / Ваша пријаваHome

Loja u shit – dikush u la në baltë e dikush…!

Dikush u la në baltë, të tjerë bënë kompromise, ndonjë e ka shitur lojën!

Ky (shiko foton) është momenti, ndoshta jo i vetmi, por i fundit, i vërtetë opozitar në Strugë. U publikua një nga skandalet më të mëdha të zhvatjes më të paskrupullt të parave të qytetarëve të Strugës. Me fakte konkrete. Transaksione të realizuara që zbulojnë “rrjetin” dhe e vërtetojnë atë që çdo strugan e di, por nuk mund ta dëshmojë. Miliona euro që përfundojnë në xhepat e “familjes”, në xhepat e “shefave”, “bersluskonëve” e “putinëve”, që bëjnë ç’të duan me fatin e gjithë qytetarëve të Strugës.

Denoncimin publik e bëri Idri Istrefi, atëkohë kandidat opozitar për kryetar komune. E bëri me vendosmëri dhe vetëdije të plotë se po “i shpall luftë” një klani që kontrollon dhe ka kapur çdo institucion në të gjitha pushtetet, pa dallim, qendror apo lokal, ekzekutiv apo gjyqësor, polici apo prokurori. Madje e bëri duke e ditur se në këtë betejë do të mbesë i vetëm e nuk do të përkrahet as edhe nga subjekti, nën logon e të cilit po e bënte këtë betejë.

Ashtu edhe ndodhi. Meqë Idri Istrefit iu dha në dorë “beteja opozitare” pak ditë para fushatës zgjedhore, logjikisht do t’i takonte që opozitarizmi t’i lihej atij edhe pas zgjedhjeve lokale. Kjo për faktin se ai e dëshmoi se nuk “ia përton” e nuk bën kompromise me krimin dhe se këtë garë e kishte me gjithë mend. Më në fund, dikush po ua plaste në fytyrë aferat korruptive, hajdutllëqet e pisllëqet e bëra, atyre “të paprekshmëve”. Përveç kësaj, Idriu dëshmoi se nuk bën kompromise as brenda llojit, brenda subjektit ë tij, duke e bërë dallimin!

Çka ndodhi më pas?

– Idriu u eleminua nga gara për kryetar dege e me këtë edhe nga beteja për opozitë direkte dhe të fuqishme ndaj pushtetit të Ramiz Merkos.

– Idriu u padit për shpifje nga të gjithë personat që ai i denconcoi publikisht, për dyshime të rënda.

– Partia amë e Idri Istrefit, megjithëse kishte në dorë gjithë ato dokumente që dëshmonin “zhvatjen” e struganëve nga një grup i vogël, nuk e bëri as edhe një denoncim zyrtar për këtë çështje.

– Asnjë denoncim në prokurori, polici apo edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për më shumë se dy vite nga publikimi i Idriut.

– Asnjë dalje dalje publike për këtë temë, madje as edhe një fjalë nga gjithë ato deputetë në Kuvend.

– Asnjë gjë nga të gjitha këto as tani që Merko u shpall “non grata” nga DASH.

Idriu u la i vetëm. U braktis nga ata që duhej të ishin përkrahësit më të mëdhenj të tij në këtë betejë, jo vetëm politike, por edhe njerëzore.

Procesi gjyqësor ndaj Idri Istrefit përballë paditësve nga pushteti lokal, mund edhe të paramendohet se si do të përfundojë. Idriu, me shumë gjasë, edhe mund ta humb procedurën në gjyq, për çka do të detyrohet të paguajë një shumë të hollash në emër të “dëmit” që ua ka shkaktuar paditësve dhe imazhit të tyre. Por nuk është kjo esenca. Nëse ai e humb gjyqin, Ramizi dhe të tjerët amnistohen me gjyq, në sy të struganëve, nga krejt ky skandal, ndërsa humbësi më i madh, realisht, do të jetë Aleanca për Shqiptarët, krerët e saj, aktivistët e saj dhe çdokush që në të ardhmen do të tentojë ta bëjë të njëjtën gjë që bëri Idriu.

Aktivistët e ASH-së në Strugë, ata të sinqertët, të vërtetët, le t’i drejtojnë krerëve të partisë, atyre të kaluarve, por edhe këtyre të tanishmëve, një pyetje të vetme:

– Pse u hesht dhe u la në gjysmë beteja kundër “zhvatjes” më të dukshme të qytetarëve të Strugës nga një kompani e afërt me drejtuesit e pushtetit lokal në Strugë dhe pse u la në baltë Idriu?

Për fund, nga ajo që arrita të mësoj prej procesit gjyqësor për këtë temë, Ramiz Merko e ka fajësuar Idri Istrefin se dëshmitë e publikuara në fushatën zgjedhore të vitit 2021, kanë ndikuar në vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të tij dhe familjes së tij. Mund të jetë e vërtetë, por jo arsyeja e vetme. Ama, nëse ASH do ta kishte bërë punën siç duhet, nëse do t’i kishte shkuar deri në fund kësaj çështje, për këto dy vite, jam i sigurt se do të kishte të paktën një hetim serioz nga Prokuroria për Krim të Organizuar.

Kërkoj falje prej Idri Istrefit se po ia përmend emrin e po e trajtoj në këtë temë pa i kërkuar leje, por tema për të cilën shkruaj ëshë shumë publike, u takon gjithë qytetarëve të Strugës dhe për më tepër edhe denoncimi i tij ishte publik.

 

Albrim Hoxha