Kulturë / Култура

Jepni dritë jetës

Jepni dritë jetës

T’i mësojmë të rinjtë,
t’i japin dritë jetës,
t’i japin ngjyra,
t’i japin ditëve ngrohtësi,
t’i zbukurojnë hapësirat,
të buzëqeshin,
të gëzohen,
është e nevojshme,
t’i mësojmë përditë!
Me të kuqen e dashurisë,
gjallërinë rinore,
forcën e pasionin,
shpresën ta ngjyrosin!
Me ngjyrën e verdhë,
(me këtë ngjyrë të diellit e të verës),
ta ngjyrosin ambicien dhe energjinë,
butësinë e lumturinë!
Me blunë,
paqen dhe besnikërinë…
Me të blertën,
(këtë ngjyrë të rilindjes dhe çlodhjes)
të ngjyrosin shëndetin
dhe ekuilibrin!
Me të bardhën e pastërtisë,
t’i thurin fjalët e mira të zemrës!
Ngjyrat e ndezura të vjeshtës,
bukuritë e jetës,
t’i hedhin në kanavacë,
për të treguar forcën, shkëlqimin,
dhe vendosmërinë!
T’i mësojmë të rinjtë,
me ngjyra të ngrohta e të gjalla,
ta pikturojnë jetën e tyre,
dashurinë e tyre,
duke flakur ata që njollosin!
Furçat e të rinjve,
dritë u bëfshin n’errësirë
e shpirti i tyre rinor
ndriçoftë në çdo cep
të rruzullit tokësor!

© Xhemi Hajredini
Strugë, 6 korrik 2023