Denoncimi juaj / Ваша пријаваHomeKulturë / Култура

“Intelektualët” e heshtur

Jo më shumë se 30 veta shfaqen në media, edhe pse ka edhe prej atyre që dalin vetëm kur i “paguan” partia, me poste e forma tjera shpërblimi! Por, si ka mundësi që në shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut japin mësim mbi 1000 magjistra dhe doktorë shkencash dhe ata nuk i shohim aspak në sferën publike?! E shumta, një pjesë e tyre thurin lavde në rrjetet sociale për partinë dhe liderin e tyre të preferuar.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Ndodh shpesh që të më takojnë dhe, natyrisht, për shkak të pranisë së madhe në media të ndryshme me opinione, analiza politike dhe aktivitete të ndryshme, të më njohin njerëz të ndryshëm. Njëri në Shkup, një ditë në muhabet në rrugë, më tha: “Të njoh, sepse ju jeni rreth 10 vetë që dilni shpesh në televizione”! Prej këtij momenti kam filluar të mendoj se a duhet njeriu të dalë shpesh në media, ndonjëherë për hir të së vërtetës jo sa për të thënë, por sa për t’u dukur. Ndodh, edhe pse rrallë, që edhe pse nuk ke të thuash diçka më tepër sesa ajo që ke thënë ose kanë thënë kolegët, shfaqesh në debat televiziv, i “buzëqeshur” për të bërë shërbim “kolegial”, pra sa për të mbushur orarin programor. Por, edhe pse kjo mund ndodh ndonjëherë, prapëseprapë shfaqja në media pa frikë është në frymën e detyrës së përcaktuar shoqërore që  e ka intelektuali, pra misionin publik.

“Hej, asnjë fjalë s’i shpëtoi prej goje”!

Natyrisht se ka më shumë se 10 që flasin në media, por jo më shumë se 30 veta. Ka edhe prej atyre që dalin vetëm kur i “paguan” partia, me poste ose me para kesh, ka të ndryshëm, pasi edhe “inteligjenca” shpesh manipulon për qëllime personale, grupore, klanore dhe partiake! Por, si ka mundësi që në shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka shumë njerëz që bëjnë punë arsimore dhe shkencore-akademike, japin mësim mbi 1000 magjistra dhe doktorë shkencash, pra në aspektin sasior ka shumë njerëz të inteligjencës, por ata nuk i shohim aspak në sferën publike. E shumta, thurin lavde në rrjetet sociale për partinë dhe liderin e tyre të preferuar! Mbase, mendojnë se është e vërtetë thënia “Heshtja është ar”. Kjo, mund të jetë rruga më e lehtë, por nuk është rruga e intelektualizmit, nuk është rruga e shërbimit ndaj interesit publik!

E keni dëgjuar besoj këngën e njohur “Asnjë fjalë s’i shpëtoi prej goje”?! Kjo sidomos vlen për shumë “intelektualë” shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë hapësirën shqiptare.

Në trevat shqiptare ka një perceptim të gabuar dhe të shtrembëruar për rolin, forcën dhe ndikimin që ka intelektuali në shoqëri. Intelektuali nuk është rrogëtar, nuk është administrator, nuk është mbrojtës me kohë të plotë në rrjetet sociale ose në tavolina kafenesh a çajtoresh i politikave të pushtetit, pavarësisht nëse pajtohet me shumë prej tyre. Nuk duhet të jetë poltron, përfitues materialist ose njeri që interesat e veta personale i ka prioritet të vetëm dhe ato i vendos gjithmonë mbi interesin publik. Intelektuali është e kundërta. Ai duhet të ketë një strukturë mentale progresive dhe një kod moral-etik për të ndikuar pozitivisht në rrjedhat e shoqërisë. Nëse do ta matni intelektualin me këto kritere, besoj se shumica do të thonë, me plot të drejtë, “po ku ka intelektualë në ditët e sotme?”, sepse të gjithë janë në rrugën e interesave të tyre. Mbase interesi dhe vetëm interesi është i përjetshëm! Në fakt, sa intelektualë të vërtetë kemi?! Mendoj se shumë pak.

Për frikën nuk ka ilaç. Rrjedhimisht, as për frikën e intelektualëve. Bota e civilizuar dhe e emancipuar, deri në nivelet e përsosmërisë, na mëson se intelektual nuk është ai që hesht, që frikësohet nga pushteti për vendin e tij të punës ose për pozicionet e tij. Por, e kundërta, ai që e ngre zërin e arsyes dhe ndërgjegjes për çështjet kolektive shoqërore. Ka shumë profesorë që “shiten” e “krekosen” si intelektualë të mëdhenj, thuajse se shkenca ka filluar me ta, thuajse janë Aristoteli ose Platoni i kohës së re, ndërsa zëri i tyre nuk dëgjohet asnjë milimetër më larg se metrat katrorë të universiteteve në të cilat japin mësim. Këta nuk janë intelektualë. Këta janë intelektualë të shtirur, sepse gojëmbyllurit nuk hyjnë në kategorinë e intelektualëve të mirëfilltë. Madje, nuk e di si u ligjërojnë studentëve për çështjet publike ose për lirinë e fjalës, për demokracinë, për pluralizmin, kur vetë janë me të dy këmbët pjesë e skemave të diktaturës totalitariste, asaj të njëmendësisë, uniformitetit, që në Maqedoninë e Veriut gjithmonë ka tentime të instalohet nga qarqe të ndryshme “të veshura” me pushtet. Intelektuali e ka për detyrë gjithnjë t’ia tregojë publikut të vërtetën për çfarëdo problemi madhor që ka shoqëria.

Disa çështje meritojnë trajtim intelektual

Po a ka problem më madhor sesa vendnumërimi, moszhvillimi ekonomik dhe demokratik, se sa humbja e shpresës?! Intelektuali ka përgjegjësi, sidomos kur shoqëria në të cilën jeton është në krizë, qoftë morale, shoqërore dhe politike. Maqedonia e Veriut, sipas të gjitha parametrave, është në krizë të thellë politike, ndërsa edhe intelektuali shqiptar është në krizë. Intelektualët, më saktësisht ata që vetëquhen intelektualë, nuk janë kritikë ndaj pushtetit, ndaj rrjedhave shoqërore, ndaj krizave të llojllojshme politike-ideologjike, kulturore-arsimore dhe morale, shpesh bëjnë apologjinë e pushtetit, në të shumtën e rasteve jo me zë të qartë mediatik, por me mendime në rrjetet sociale dhe me veprime prej aktivisti partiak, që është versioni i nivelit fillestar të politikëbërjes. Në vend se të jenë intelektualë të vërtetë, janë të heshtur, pa zë, pa ide për të tashmen dhe pa vizione për të ardhmen. Mund të numërohen në gishta intelektualët shqiptarë të cilët e kanë ngritur zërin e arsyes pa hamendje kundër pushtetit, në periudha të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë, në sistemin e kaluar komunist dhe në demokracinë tranzicionale, sepse vetëm ata që janë intelektualë të vërtetë nuk i nënshtrohen sistemit politik ose ndonjë ideologjie që është dominuese në shoqëri. E kuptoj se kjo shoqëri është e frikës, por duhet “luftuar” me të, sepse ndryshe nuk ka kuptim demokracia.

Intelektualët të zgjohen nga “gjumi dimëror”

Është koha e fundit dhe këtë e imponon gjendja shoqërore, që intelektuali shqiptar të zgjohet nga “gjumi dimëror” dhe të jetë më syçelë ndaj ngjarjeve, fenomeneve, problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve dhe të shoqërisë politike dhe jopolitike. Ai duhet t’i shpalosë argumentet e tij ndaj politikës, se si arritën partitë shqiptare të bëhen vegla të establishmenteve të ndryshme shtetërore, duke vrapuar të gjitha, pa përjashtim, pas pushtetit, duke harruar brenda natës “përcaktimet programore politike” për jetë më të mirë të shqiptarëve. Natyrisht se një parti politike, edhe sipas përkufizimit, e ka synim ngjitjen në pushtet, por jo me çdo kusht dhe pa zgjidhur mjetet. Dikush duhet ta bëjë edhe opozitën! Meriton përgjigje të thellë intelektuale se pse çdo ditë mbushen aeroportet dhe stacionet e autobusëve me të rinj shqiptarë, pse po zbrazet Maqedonia e Veriut dhe, se sipas parashikimeve, brenda 2 viteve do të ikin edhe 200 mijë qytetarë, shumica e tyre të shkolluar dhe të rinj. Pse heshtet dhe nuk kërkohet përgjegjësi se si Maqedonia e Veriut, një shtet i vogël, ka arritur të hyjë në borxh prej 8 miliardë eurosh, pse asnjë politikan nuk vuan përnjëmend burgun, edhe pse janë zënë në flagrancë se kanë vjedhur, ndërsa se kjo ka ndodhur dëshmon borxhi i brendshëm dhe ai i jashtëm publik?! Duhet një interpretim se kush do ta paguajë borxhin prej 8 miliard eurosh. Apo, edhe ky interpretim analitik-shkencor nuk mund të jepet nga disa, sepse një pjesë e madhe e atyre që janë sot në arsimin e lartë dhe mbajnë titullin e profesorit ordinar, inordinar ose docentit janë ish ministra, deputetë e politikanë degësh ose nëndegësh partish! Ish rektori i USHT-së, Sadi Bexheti, moti e ka zbuluar se 30 % e mësimdhënësve në universitetet me mësim në gjuhën shqipe janë ish politikanë. Në universitetet shqiptare vetëm rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti nuk është politikan. Dy rektorët tjerë vijnë nga fusha e politikës, njeri ish deputet e tjetri ish ministër. Duke mos mohuar aftësitë dhe cilësitë akademike dhe hulumtuese-shkencore të një pakice të vogël, pjesa më e madhe e ish politikanëve, sot profesorë, janë njerëz që kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre politik për t’u bërë profesorë.

Ky fakt i bën këta alamet intelektualët shqiptarë konformistë, njerëz që nuk ia prishin partisë, edhe kur ajo e ka keq, edhe kur ajo gabon. Sa keq për gjendjen e një kombi dhe sidomos për ardhmërinë e tij!

Shkrim i botuat në Revistën SHENJA