HomeKulturë / Култура

Gjuha amnore

GJUHA AMNORE

Shpateve të maleve dhe rrugëve të lirisë,
kemi qeshur e qarë me gjuhën e Arbërisë.
Vargjet e poezisë i kemi thurur prore,
me të vendit e të shenjtën gjuhë amnore.

Me këtë gjuhë të dashurisë e t’Perëndisë,
me gjuhën e mallit, t’shpirtit e fëmijërisë,
gegë e toskë, trima të gishtit, tokës e plisit,
besëlidhje arbërore me burrat e fisit.

Me gjuhën mjaltë të malësisë e toskërisë,
flasim, bërtasim, i shkruajmë dashurisë.
Si grykëderdhja e Drinit, rrëshqasin fjalët,
për nënat e çdo gjë të bukur, lapsi s’ndalet.

Me kujdesin atëror e me gjuhën porsi shkëmb,
vërtetojmë lashtësinë, me armikun për dhëmb.
Kemi gjuhë të vjetër, me vlerë e të pavdekshme,
kundërmon erë bliri, rroftë e qoftë e përjetshme!

© Xhemi Hjaredini
Strugë, 25 shkurt 2020