Denoncimi juaj / Ваша пријаваHomeLajme / ВестиRrethina / Околина

Salla në Ladorisht ua zë diellin nxënësve – Kush e ndryshoi lokacionin?

Fillimi i punimeve për ndërtimin e sallës së sportit në Ladorisht, ka ngjallur reagime të shumta mes qytetarëve dhe banorëve të këtij fshati. Kjo për arsye se objekti planifikohet të ndërtohet në afërsi prej 2-3 metrash nga objekti i Shkollës Fillore “Ashim Agushi”, në anën lindore të saj. Pikërisht kjo është ana ku janë dritaret e shkollës prej ku hyjnë rrezet e diellit në orët e paradites. Punimet kanë filluar, janë hapur edhe kanalet për hedhjen e themeleve të sallës, shkruan VOX Struga.

Polemikat e shumta janë për shkak se në pjesën veriore të objektit të shkollës, ka vend të mjaftueshëm për ndërtimin e sallës, vendi është i lirë dhe për më shumë nuk pengon aspak. Dhe sipas burimeve të VOX Struga-s, aty edhe është dashur të ndërtohet salla, por në momentet e fundit, autoritetet lokale, Komuna e Strugës ka ndryshuar pozitën e ndërtimit duke e zhvendosur atë në pjesën lindore.

Pjesa veriore, ku duhej të ndërtohet salla

Ndërtimi i sallës sportive do të ndërtohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa vendin se ku ndërtohet e përcakton Komuna e Strugës. Autoriteteve lokale në Strugë, siç duket nuk u ka bërë përshtypje ose nuk e kanë analizuar mirë se ndërtimi i sallës aty ku ata duan, ua zë dritën dhe rrezet e diellit fëmijëve të shkollës fillore.

Pjesa lindore ku ka filluar ndërtimi i sallës – Të gjitha dritaret do bllokohen nga objekti i sallës duke ua zënë dritën dhe rrezet e diellit fëmijëve

Siç ka arritur të mësojë VOX Struga, rinia e fshatit Ladorisht, në bashkëpunim me diasporën e fshatit, bashkësinë lokale dhe një pjesë e intelektualëve të Ladorishtit, do të organizojnë takim në ditët në vijim ku do të diskutojnë për këtë çështje./voxstruga.mk/