Denoncimi juaj / Ваша пријаваHomeLajme / ВестиRrethina / Околина

Zjarri në malin e Dollogozhdës vazhdon, zjarrfikësit janë larguar pa bërë asgjë (VIDEO)



Prej disa orësh po digjet mali sipër fshatit Dollogozhdë në anën e djathtë të rrugës për në Pohum. Zjarri i ndihmuar edhe nga era u shpërnda me shpejtësi të madhe dhe ka kapluar sipërfaqe të madhe të pyjeve. Banorët e Dollogozhdës për VOX Struga theksuan se janë të shqetësuar për djegien e pyjeve dhe se kanë frikë se mos zjarri afrohet në fshat. Sipas tyre akoma nuk dihet shkaktari i zjarrit, por theksojnë se mund të jetë i qëllimshëm.
VOX Struga raportoi për rastin që në fillim të zjarrit. Momentalisht, në terren janë veç dy punonjës të Drejtorisë së Pyjeve dhe disa banorë të Dollogozhdës.
Sipas tyre, një ekip nga Njësia e Zjarrfikësve në Strugë kanë ardhur para ca orësh dhe kanë ikur pa kryer asnjë punë. Zjarrfikësit janë arsyetuar se terreni është i papërshtatshëm dhe se ata nuk mund të bëjnë gjë për ta parandaluar zjarrin.
“Siç erdhën, ashtu ikën. Nuk mund të bëjmë asgjë. Nuk është punë që mund ta bëjmë ne. Kaq thanë dhe ikën” – shprehet për VOX Struga-n njëri prej të pranishmëve në terren.

Zjarri në këto anë nuk është risi. Për çdo vit ka pasur djegie të pyjeve, ndërsa para dy viteve situata ishte më alarmante. Si pasojë e zjarrit të vënë qëllimisht, atëkohë u dogjën sipërfaqe të mëdha pyjesh duke rrezikuar edhe banorët e tre fshatrave përreth, Dollogozhdës, Pohumit dhe Tateshit të Poshtëm.
Për ta shuar zjarrin e atëhershëm punuan me orë të tëra të rinjtë e fshatrave Dollogozhdë dhe Tatesh, krahë për krahu me zjarrfikësit e Strugës, Dibrës, Ohrit dhe Resnjës, që kishin ardhur pas thirrjes për ndihmë nga administrata lokale. Zjarri në fund u shua përmes hedhjes së ujit nga lartë me aeroplanë të Drejtorisë për Menaxhim me Krizat.
/VOX Struga/