HomeLajme / ВестиQyteti / Град

Rruga njëkahëshe ngjalli debat të ashpër, qytetarët kundërshtojnë vendimin e Merkos!

Regjimi i ri i komunikacionit në Strugë ka ngjallur debat të ashpër në Strugë. Mbyllja e rrugës kryesore hyrëse për në qytet, “Brigadat Proletare” dhe “”Korpusi 15” dhe shndërrimi i saj në rrugë njëkahëshe, me vende parkimi anash ka shkaktuar polemika mes subjekteve politike, intelektualëve dhe qytetarëve. Komuna e Strugës gjatë ditës së djeshme informoi se prej sot kjo rrugë do të bëhet njëkahëshe dhe se për këtë vendim janë konsultuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Mirëpo, njohësit e kësaj problematike thonë se kompetent për kështu vendimesh është Këshilli i Komunës së Strugës, ndërsa këshilltarët thonë se nuk kanë diskutuar fare për këtë çështje, informon VOX Struga.
Momentalisht në mbrojtje të këtij vendimi është vetëm Kryetari i Komunës së Strugës dhe partia e tij, ndërsa subjektet tjera politike, kush më zëshëm e kush më pak, kanë kundërshtuar këtë plan të Merkos.
Edhe qytetarë të shumtë kanë kundërshtuar ashpër mbylljen e njërit kah të rrugës dhe thonë se kjo do ta shtonte kaosin në qytet, sidomos tani në prag të sezonit turistik.
Veprimtari i njohur strugan, Shpëtim Pollozhani, po kundërshton këtë ide dhe shprehet tepër i shqetësuar. Ai apelon që sa më shpejtë të anulohet ky vendim i Komunës së Strugës.

“Anuloni urgjentisht rrugën e Dibrës që të nxjerr drejt tek liqeni. Me këte vendim alogjik do të trefishohet rrëmuja tek rruga e spitalit , e cila edhe ashtu ëshë rrëmujë e vërtetë. Me këte veprim do të dyfishohet çmimi i shtëpive( pothuajse të gjitha të joshqiptarëve) që janë në rrugën, e cila bëhet njëkahëshe. Eshtë qesharak vendimi se me këte akt shtoheshkan vendparkimet në Strugë. Vendparkimet gjatë rrugës do të bllokohen që në mëngjes nga pronarët e dyqaneve përreth” – shprehet i brengosur veprimtari strugan Shpëtim Pollozhani, raporton VOX Struga.

Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët në Strugë ka reaguar dje dhe sot me tone të ashpra dhe theksuan se do ta ndjekin ligjërisht rastin, duke paralajmëruar denoncime dhe padi për këtë vendim, siç thonë ata, antiligjor. Nga kjo parti lajmërojnë se do të thirin mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës ku do të kërkojnë mbështetje nga këshilltarët e gjitha subjekteve politike, që ta ndalojnë këtë plan të Ramiz Merkos.

” Aleanca për Shqiptarët njofton opinionin se po përgatit mjetet e nevojshme juridike për ta kundërshtuar planin e Ramiz Merkos për rrugën njëkahëshe në zemër të qytetit.
Rastin do ta denoncojmë në Inspektoratin Shtetëror për Transport, Inspektorati për rrugë shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurori.
Gjithashtu, këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës, me të vetmen pikë të rendit të ditës dhe atë:
-Ndalimi i vendimit jashtëligjor të Kryetarit të Komunës së Strugës që rruga “Brigadat Proletare dhe “Korpusi 15” të shndërrohen në njëkahëshe.
I ftojmë edhe këshilltarët e subjekteve tjera politike ti bashkohen nismës sonë dhe të pengojmë këtë vendim skandaloz, që shkon në dëm të qytetit, qytetarëve, zhvillimit të turizmit dhe bizneseve në Strugë”- njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët në Strugë.

Interesant është fakti se edhe nga partneri qeverisës i Ramiz Merkos e kundërshtojnë këtë ide. Ish kandidati i LSDM-së për kryetar komune, Vasil Ashtallkoski, këtë ide të Merkos e ka quajtur budallallëk.

“Rreth njëkahëshit të Strugës. Vetëm tre arsye kundër: e para, çdokush, edhe taksi edhe unë edhe ju, duhet të vozisim së paku një kilometër më shumë dhe me këtë seriozisht rritet ndotja e ajrit. E dyta, paramendoni si mund të funksionojë Ndihma e Shpejtë kur do ti duhet urgjentisht të kthehet në Spital! E treta, si do të dalë nga qyteti një turist apo kushdoqoftë tjetër, që për herë të parë ka hyrë tek njëkahëshja? Siç duket do të qëndrojë më gjatë dhe do të kemi në shumë turistë. 
Dhe mos u arsyetoni me shtegun e biçikletave! Rroftë budallallëku dhe njëkahëshja” – shkruan Vasil Ashtallkoski nga LSDM-ja.

Sidoqoftë, rruga kryesore hyrëse u shndërrua në njëkahëshe. Sot komunikacioni zhvillohej në një kah, ndërsa në anën e majtë ishin shenjuar vendet e parkimit. Qytetarët dhe subjekte të ndryshme politike dhe qytetare diskutojnë dhe debatojnë, ndërsa Komuna sheh punën e saj. Nga administrata lokale deri në këto momente, nuk i janë përgjigjur kritikave të opinionit.
/VOX Struga/