Denoncimi juaj / Ваша пријаваHomeLajme / ВестиQyteti / ГрадRrethina / Околина

Rrethrrotullimi te Ura e Morovishtit në mëshirë të fatit!

Kanë kaluar më shumë se 6 muaj që kur punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit tek Ura e Morovishtit janë ndërprerë. Në fakt punimet u ndërprenë menjëherë pasi filluan.
VOX Struga pyeti në Komunën e Strugës se cila është arsyeja e ndërprerjes. Pas një pritjeje të gjatë dhe pas disa tentimeve më në fund komuna u përgjigj.
“Sa i përket informacionit të kërkuar nga ana Juaj, kompania e ndërtimit, e cila i nisi punimet në unazën e Morovishtit, i ndërpreu për faktin se ka poseduar licencë B për punë ndërtimore dhe me reagim të Ministrisë së transportit dhe lidhjeve, punimet në atë pjesë do të fillojnë sërish pasi të sigurohet licenca A për punë ndërtimore. Prandaj, në procedurë është përzgjedhja e kompanisë së ndërtimit me licencë A dhe pas kësaj vijon puna në atë zonë”- theksuan nga Komuna e Strugës.
Ata gjithashtu sqaruan se në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, kjo punë do të zgjidhej brenda dy javëve dhe menjëherë do të vazhdonin punimet.
Por prej asaj dite kanë kaluar më shumë se 4 javë dhe akoma nuk shohim ndonjë ndryshim në terren.
VOX Struga mësoi se kompania, e cila ka fituar tenderin për këtë punë është SHA ” Ilinden”, kompani me traditë dhe shumë serioze.
Në të njëjtën kohë, kjo kompani po punon edhe në ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, që është projekt shumë i madh.
Prandaj po bëjmë një pyetje logjike.
Si ka mundësi që kompania që ndërton autostradën të mos ketë të drejtë të punojë në një rrugë magjistrale?
Këtë do ta mësojmë në ditët në vazhdim.
Burimet tona theksojnë se arsyetimi i komunës rreth licensës A dhe B ka qënë vetëm sa për të blerë kohë, pasi tani u ulën temperaturat dhe mund të kenë edhe arsyetime tjera se për shkak të temperaturave të ulëta nuk mund të punohet dhe se punimet do të vazhdojnë në Pranverë.
Gjithashtu VOX Struga nga disa denoncime të ardhura në adresën tonë, informoi për dyshimet se punimet i ka ndërprerë një biznesmen që ka pronë aty pranë.
Për momentin vendi ku duhet të ndërtohet rrethi është në gjendje të shëmtuar dhe po e vështirëson akoma më tepër komunikacionin dhe sigurinë e qytetarëve./VOX Struga/