HomeLajme / ВестиQyteti / ГрадRrethina / Околина

Pushteti qendror filloi t’ia “këpusë krahët” Merkos!?


Prishja e marrëdhënieve me partnerin maqedonas, LSDM, siç duket po fillon ti kushtojë tepër kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Raportet mes dy partnerëve të koalicionit në pushtetin lokal në Strugë, por edhe në pushtet qendror, filloi të çahet me dorëheqjen e Sonja Stojkoskës, njeriu i dytë në Komunën e Strugës që vinte nga LSDM-ja. Stojkoska u largua dhe me gjithë presionin dhe lutjet për tu rikthyer në administratën lokale, refuzoi ta bënte këtë, duke lënë të kuptohet se diçka nuk është në rregull me drejtuesit komunal.
Në të njëjtën kohë, aktiv ishte edhe debati për plazhet e qytetit dhe dhënien e tyre me koncesion, duke e ndarë gjithë bregun e liqenit në 37 plazhe private. Këtë projekt e kundërshtuan ashpër të gjitha partitë në Këshill, përveç BDI-së. Edhe pse të bindur se do ta kalojnë këtë plan, pas diskutimeve të gjata në Këshillin e Komunës së Strugës, pika që fliste për plazhet u la pa votuar. Kjo u bë me qëllim që administrata e Merkos të fitojë kohë dhe të bind një për një këshilltarët lokalë. Flitej se ofroheshin shuma të majme parash dhe premtime tjera nga bashkëpunëtorë të Merkos, por askush prej këshillëtarëve “nuk lëshoi pe”.
Raporti me LSDM-në, partnere në të dyja pushtetet filloi të prishet dhe jo shumë kohë pas hyrjes së vitit të ri, pushteti qendror ia mori kompetencat për çerdhet Komunës së Strugës. Arsyetimi ishte se administrata lokale nuk kishte respektuar ligjin gjatë menaxhimit me çerdhet si dhe ndryshimi i drejtorëve pa kriter. Për rreth 1 vit, çerdhja e Strugës ka ndryshuar të paktën tre drejtorë
Për ta kuptuar se sa rëndë është gjendja mes partnerëve, BDI – LSDM, flet edhe lajmi më i fundit, se me ligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi pas një muaji, Komunës së së Strugës do ti merren kompetencat edhe për menaxhimin me plazhet. Me këtë ligj, me bregun e liqenit të Ohrit do të menaxhojë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Këtë e deklaroi ministri Goran Sugarevski, disa ditë më parë gjatë një takimi me qytetarët e Ohrit.
Se si do vijojnë ngjarjet do të shohim në ditët në vazhdim, por një gjë dihet. Pushteti qendror ka filluar t’ia “këpusë krahët” Ramiz Merkos!
/VOX Struga/