HomeLajme / ВестиQyteti / ГрадRrethina / Околина

Përse u ndërprenë punimet te “Ura e Morovishtit”?!

Nisi me shumë bujë në muajin Maj dhe u tha se do të jetë gati para se të fillojë sezoni turistik. Por siç thotë një fjalë e urtë popullore ” nga e thëna në të bërë, ka një det të tërë”. Kështu ndodhi edhe me projektin e famshëm të Komunës së Strugës për ndërtimin e një rrethrrotullimi tek vendi i quajtur “Ura e Morovishtit”. Projekti u promovua dhe u thanë shumë fjalë të mëdha nga udhëheqësit lokal, madje edhe bënin sfilata gjoja duke i mbikqyrur punimet. Por edhepse ky projekt duhej të përfundojë para se të fillojë sezoni turistik veror, që i bie rreth muajit Korrik, punimet ngecën që prej fillimit. Në vend që gjatë sezonit veror të lehtësohej qarkullimi në këtë pjesë, ndodhi e kundërta sepse nga rruga e shkatërruar dhe punimet e lëna u ngarkua dhe u vështirësua akoma më shumë. Kjo situatë me komunikacion të ngarkuar vazhdon edhe sot e kësaj dite. Tani po bëhen 6 muaj që nga fillimi i punimeve dhe të paktën 3 muaj që nuk po punohet fare nga kompania e përzgjedhur për kryerje të punimeve. Arsyen presin ta mësojnë edhe qytetarët, përcjell VOX Struga.
Në disa raste edhe partia opozitare, Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar komunën dhe kryetarin e saj, Ramiz Merko për shkatërrimin e rrugës dhe mos përfundim të punimeve, por nga komuna nuk janë përgjigjur.
Ja se çka lajmëronte Komuna e Strugës më 25 Maj:
“Nga sot 25.05.2018 filluan punimet për Rekonstruimin e udhëkryqit katërkrahësh aktual në kryqëzim me rrethrrotullim ndërmjet rrugës regjionale rr. P1201 (Strugë-Dibër) dhe rrugës regjionale rr. P2243 (lidhja me rrugën regjionale P1201- f. Drasllajcë) apo tek vendi i ashtuquajtur “URA E MOROVISHTIT” në Komunën e Strugës.Ky projekt finansohet nga Komuna e Strugës me vlerë rreth 7.7 milion denarë. Кy investim do të lehtësoj komunikacionin dhe lidhjen e qytetit të Strugës me fshatrat për rreth saj si dhe evitimin e bllokimit të trafikut në këtë udhëkryq.”
VOX Struga do të kërkojë edhe zyrtarisht përgjigje nga ana e komunës se përse nuk po punohet në këtë projekt dhe cili është shkaku i ndërprerjes së punimeve akoma pa filluar?