HomeLajme / Вести

Ndryshime në pushtetin lokal në Strugë / A ka probleme mes partnerëve LSDM dhe BDI?

Në Strugë së fundmi u bënë publik dy emrat e rinj të drejtorëve të ndërmarrjeve komunale. Në NP “Komunale” pas dorëheqjes së drejtorit Ivan Kleçkaroski është emëruar Iqmet Islami, ndërsa pas emërimit në pozitën Ministër për Shoqëri Informative dhe Administratë të Jeton Shaqirit, në vendin e tij në NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”, siç po paralajmërohet do të emërohet Dashmir Nasufi. Ky i fundit ka qënë shef i kabinetit të kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Menjëherë në opinion qarkulluan informata për probleme mes partnerëve të koalicionit lokal LSDM dhe BDI, pasi kjo e fundit po i merr të dy këto pozita drejtuese, prej të cilave njëra i ka takuar LSDM’së nga fillimi i mandatit, shkruan in7.

Për të mësuar më shumë, in7 kontaktoi me Kryetaren e Komitetit Komunal të LSDM’së në Strugë, Sonja Stojkoska. Kjo e fundit nuk deshi të japë më shumë detaje, por theksoi se qëndrimin zyrtar do ta shpallin në ditët e ardhshme.

“Nuk dua të jap komente në lidhje me spekulime të ndryshme. Për ndodhitë e fundit në Strugë do të deklarohemi zyrtarisht në ditët e ardhshme. Ne jemi parti serioze dhe vendimet i marrim brenda organeve tona, prandaj ju lutemi të kini pak durim. Do t’u njoftojmë të gjithëve”, u shpreh për in7, Sonja Stojkoska, Kryetare e LSDM’së në Strugë.

E pyetur për probleme eventuale apo mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit lokal, Stojkoska theksoi se nuk ka diçka të tillë, ndërsa nuk mohoi se mund të ketë ndonjë marrëveshje të re mes tyre, me çka LSDM do të mund të fitonte ndonjë pozitë tjetër të rëndësishme.

Stojkoska u caktua për Sekretare në Komunën e Strugës në fillim të mandatit të Merkos, por si pasojë e disa mosmarëveshjeve, të cilat nuk i ka bërë publike, ajo u dorëhoq brenda pak muajsh. Koalicioni mes BDI’së dhe LSDM’së në Strugë ka hasur shpesh në mosmarrëveshje dhe kundërshtime. Këshilltarët e LSDM’së në disa raste nuk i kanë votuar pikat e propozuara nga kreu i komunës./in7.tv/