Denoncimi juaj / Ваша пријаваHomeLajme / ВестиQyteti / ГрадRrethina / Околина

Na ishte njëherë Struga!

Struga në shumë drejtime ka ecur dhe është bërë shumë më e pasur materialisht, por duhet thënë se është varfëruar tejmase nga pikëpamja intelektuale dhe kulturore. Qyteti që dikur ishte një stacion i lakmuar i elitës intelektuale mbarëshqiptare, sot gradualisht po kthehet në një qytet province. Qyteti ku rehatinë intelektuale e gjenin poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të hapësirës shqiptare, duke filluar nga Kadareja, Agolli, Spahiu, Zhiti, Shkreli, Mekuli dhe shumë emra të njohur të letrave shqipe, sot është shndërruar në tablo-tallje dhe ironie: ”si qyteti ku diplomohesh – mjafton të regjistrohesh”

Nga Patriot LUMANI

Si strugan, të gjithëve na ka rastisur opinioni pozitiv që shqiptarët e trevave të tjera kanë patur karshi nesh. Ky opinion pozitiv që ne kemi hasur për qytetin tonë në Tiranë, Prishtinë apo në treva të tjera, nuk ka ndodhur rastësisht se ne jemi më të mirët ndër shqiptarët (larg asaj), por ai ka ardhur si rezultat i idealizmit dhe gjurmëve që kanë lënë struganët në këto treva gjatë rrugëtimit të tyre jetësor apo intelektual. Ishin me dhjetëra familje të elitës strugane që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, që pas mbetjes së Strugës në këtë anë të kufirit, u vendosën në Elbasan e Tiranë, duke e përçuar emrin e mirë të qytetin tonë në Shqipërinë politike dhe fuqishëm kontribuuan në jetën kulturore dhe të gjithanshme atje. Ishin me dhjetëra mësues idealistë me origjinë nga Struga, që u mësuan shkronjat shqipe për herë të parë fëmijëve, pothuajse në çdo vendbanim shqiptarë të Maqedonisë pa përjashtuar edhe Kosovën pas vitit 1945.

Padyshim, ishin dhe janë me qindra studentë dhe profesor, që emrin e qytetin tonë e prezantuan denjësisht jo vetëm në Prishtinë, por në mbarë Kosovën. Pra, me pak fjalë, emrin e struganëve kudo në hapësirën shqiptare e kanë lartësuar struganët e mirëarsimuar me bërthamë të fortë kombëtare pa përjashtuar veprimtarët struganë të kauzës që ishin aktiv në çdo lëvizje kombëtare- çlirimtare. Por, mbi të gjitha – “brendi i struganëve” ishin intelektualët profesionistë që ky qytet ka nxjerrë në dekada. Pra, ishin këta misionarë që lartësuan emrin dhe veçorit më të mira të struganëve si qyteti i intelektualizmit dhe kulturës. Është fakt i ditur që Universiteti i shqiptarëve në Maqedoni u themelua në Tetovë, por pothuajse të gjithë dekanët e fakulteteve ishin nga Struga dhe kjo nuk ndodhi rastësisht, por në atë momentum historik – qyteti i Drinit të Zi dispononte kuadrin e domosdoshëm për funksionimin e atij institucioni.

POR SOT KU JEMI ?

Struga në shumë drejtime ka ecur dhe është bërë shumë më e pasur materialisht, por duhet thënë se është varfëruar tejmase nga pikëpamja intelektuale dhe kulturore. Qyteti që dikur ishte një stacion i lakmuar i elitës intelektuale mbarëshqiptare, sot gradualisht po kthehet në një qytet province. Qyteti ku rehatinë intelektuale e gjenin poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të hapësirës shqiptare, duke filluar nga Kadareja, Agolli, Spahiu, Zhiti, Shkreli, Mekuli dhe shumë emra të njohur të letrave shqipe, sot është shndërruar në tablo-tallje dhe ironie: ”si qyteti ku diplomohesh – mjafton të regjistrohesh”. Kjo situatë nuk erdhi vetëm për faj të struganëve, por edhe të disa garniturave jashtë Strugës që intelektualizmi i struganëve u është dukur i bezdisshëm duke promovuar diletantët, matrapazët, arrivistët në politikbërje, arsim dhe kulturë dhe, mbi të gjitha – duke shkatërruar me vetëdije cilësinë në arsim në funksion të pasurimit të shpejtë (armën më të fortë të struganëve) duke punësuar dhe graduar persona që nuk kanë asnjë lidhje arsimin dhe me profesionin për të cilin janë certifikuar. LAJME TË NGJASHME Pri 23, 2021 Pri 23, 2021 Pri 22, 2021

Sot, Struga disponon me qindra të diplomuar, por i mungojnë profesionistët dhe idealistët – ata të cilët i kanë sjellur emrin e mirë struganëve. Ndërkohë, janë shtuar konformistët që për model kanë kërmillin që sa më shumë lëpijnë – aq më lartë ecin në karrierë. Sot, një pjesë e mirë e inteligjencës strugane reagon me plot ide dhe kritika (ndoshta edhe me të drejtë) ndaj zhvillimeve kombëtare, por nuk kanë asnjë reagim të vetëm për Strugën e tyre, e cila po boshatiset dhe po defaktorizohet në çdo drejtim (përjashto dy tre zëra). Sot, ne si strugan edhe mund të kemi rezerva të shumta konceptuale ndaj emrave të njohur që ka nxjerr ky qytet duke filluar nga njerëzit e letrave si Agim Vinca, Nuhi Vinca, Resul Shabani, Vahit Nasufi apo aktori dhe regjisori Xhevat Limani – që së fundi u gradua nga presidenti shqiptar me urdhrin ”Kalorësi i Skënderbeut”, por intelektualë dhe krijues të këtij kalibri prej vitesh ne si qytet nuk jemi në gjendje ti japim shqiptarisë – konstatim ky që është për keqardhje pavarësisht që ”docentët” dhe ”doktorët” i kemi me shumicë.

STRUGA NË TË ARDHMEN?

Padyshim që gjithçka nuk është e zymtë. Jeta vazhdon dhe gjërat edhe mund të përmirësohen, mjafton të fokusohemi dhe të ndërtojmë politika që të ndalojnë erozionin intelektual që i është shkaktuar Strugës. Edhe pse lëvizja e lirë është një vlerë, detyrimisht ata që drejtojnë qytetin dhe do ta drejtojnë në të ardhmen – në mënyrë imediate duhet të ndërtojnë politika stimiluese që një pjesë e mërgatës, në radhë të parë profesionistët, të rikthehen në Strugë. Dhe kjo nuk mund të bëhet me fjalë fushate në kohë zgjedhjesh, por me akte kuptimplote dhe ekzekutive. Një ndihmesë në këtë drejtim do të ishte hapja e një zyre në kuadër të Komunës së Strugës, e cila do të mbante lidhje me mërgatën e cila për drejtues të ketë një personalitet me integritet dhe jo person politik, hap ky që duhet të ndiqet nga veprime të tjera të karakterit stimulues dhe afirmativ.

Struga, nëse nuk e ndalon shpërnguljen, në harkun kohor prej 10 vjetëve është shumë afër të shndërrohet në Prespë të dytë dhe do të themi: “Na ishte një herë Struga”. Ndërkohë, imediate është organizimi tjetërfare i strukturës arsimore në vendbanimet e Strugës dhe mundësisht ndjekja e një politike stimuluese ndaj mësimdhënësve më të mirë dhe largimin e asaj pjese që mësimdhënien e konsideron një vend pune për të shtyrë ditët deri në pagën e radhës. Një strategji tjetër e cila mund të ndërtohet në të ardhmen në bashkëpunim edhe me biznesin – është ngritja e një fondi apo fondacioni i cili fokusin do të kishte në mbështetjen financiare të studentëve më të mirë me kushtin që pas diplomimit, të rikthehen në vendlindje.

Struga fare mirë mund të bëhet një qytet ndërlidhës duke rritur bashkëpunimin me Kërçovën dhe Dibrën, duke ngritur në Strugë institucione në interes të tre qyteteve, pse jo edhe të qyteteve fqinje në anën tjetër të kufirit – kjo e mbështetur edhe në modelet europiane të rajonalizimit. Ndërkohë, kur jemi te turizmi – Struga ka nevojë për një strategji tjetër zhvillimore, sepse përveç Ohrin që e ka konkurrencë të drejtpërdrejtë në këtë pjesë, fuqishëm në tregun turistik ka hyrë Korça dhe më pak Pogradeci. Të gjithë struganët tashmë e kanë parë dhe vizituar Korçën se si një qytet kur ka strategji dhe ka përcaktuar qartë objektivat urbanistik dhe kulturore. Nëse në këtë drejtim, ne si Strugë nuk ndërtojmë një strategji zhvillimore turistike me fokuse të përcaktuara dhe detyra të afatizuara për zbatim, do vazhdojmë të humbim rëndësinë turistike edhe pse të gjitha parametrat natyrore i kemi më të mira se qytetet fqinje. Struga nuk duhet dhe nuk duhet ta lejojmë të shndërrohet në një fjetore verore me sezon turistik që zgjat tre javë.

KTHIMI I DIASPORËS NË LOKOMOTIV ZHVILLIMI PËR STRUGËN

Diaspora strugane është një nga mërgatat më të organizuara në rang shqiptarie, e cila për asnjë moment nuk është larguar nga hallet dhe dertet e vendlindjes. Se struganët janë të organizuar u pa edhe së fundi gjatë Regjistrimit të diasporës, ku mërgata strugane u aktivizua fortë dhe arriti të regjistrojë me mijëra mërgimtarë jo vetëm në Zvicër, ku është shumë e fuqishme, por edhe në Austri, Itali apo Amerikë. Kjo diasporë e fuqishme shumë shpejt mund të kthehet në katalizator të zhvillimit të Strugës, por ajo duhet të motivohet dhe stimulohet dhe të mos keqpërdoret si deri tani. Diaspora strugane përveç se ka ruajtur boshtin etnik në vendet ku vepron, falë punës dhe iniciativës disponon me kualitete që kanë arritur të krijojnë kapitale të mjaftueshme që fare mirë mund të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të Strugës. Por e gjithë çfarë thamë më lartë mund të jetësohet vetëm në rast se kësaj kategorie i krijohet besimi serioz dypalësh, por jo besimi me njerëz të komprometuar dhe të pabesueshëm. (koha.mk)