HomeLajme / Вести

Moti: Aktivizohet “alarmi i verdhë” – temperaturat nën zero gradë!

Ulen temperaturat, erë e përforcuar nga drejtimi verior

Drejtoria për Punë Hidrometereologjike, duke bërë parashikimin e motit për tri ditët e ardhshme, sic njofton KlanM, ka aktivizuar alarmin e verdhë për Maqedoninë e Veriut – temperaturat shkojnë në minus.

Për të shtunën, sipas metereologëve, pritet mot me erë të përforcuar nga drejtimi veriperëndimor që vende-vende do të arrijë në 80 kilometra në orë, që do të ndikojë në uljen e temperaturave.

Moti më i ftohtë, siç njofton KlanM, është shënuar në Kodrën e Diellit me minus 7 gradë Celsius, kurse minus 2 gradë janë shënuar në Llazaropolë.

Kodra e Diellit sot është gdhirë me shtresë të re dëbore. Pamjet e shpërndara nëpër rrjete sociale dhe nga faqja “Ski Macedonia” shfaqin idilë të vërtetë dimërore.

Nga pasditja e së premtes dhe gjatë natës, sic njofton KlanM, vendi ynë ishte nën ndikimin e një vale të lagësht që ka rezultuar me reshje intensive të shiut. Sipas metereologëve, reshje më intensive ka pasur në pjesën perëndimore të vendit, ku në Ohër janë shënuar 37 litra në një metër katror.

Por, metereologët parashikojnë se fundjavën e ardhshme, një ciklon nga Arktiku do të zbresë në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut, që do të rezultojë me reshje intensive dëbore dhe mot më të ftohtë.