HomeLajme / ВестиQyteti / ГрадRrethina / Околина

Më në fund përgjigjet komuna, nuk jep informacion për rrethrrotullimin!

Komuna e Strugës më në fund i është përgjigjur kërkesës së VOX Struga për të dhënë informacion rreth ndërprerjes së punimeve tek Ura e Morovishtit. Përgjigja e komunës është negative. Nuk duan të përgjigjen në pyetjet e mediave, nëse ato nuk dorëzohen me shkrim përmes sportelit. Praktikë që po haset për herë të parë në të gjitha institucionet e vendit. Në vend se të ecin para dhe të rrisin transparencën, kjo administratë lokale për çdo ditë po mbyllet më shumë dhe nuk jep informacione që iu interesojnë qytetarëve. Pra mediat, për çdo informacion sado i vogël të jetë, në Komunën e Strugës duhet të drejtohen vetëm me shkrim.
Në vijim mund të lexoni të plotë përgjigjen që na erdhi nga administrata komunale e drejtuar nga Ramiz Merko.

“Në rradhë të parë, ju faleminderit që po merrni denoncime nga
qytetarët e Strugës dhe që po i adresoni në emrin e tyre te Komuna e
Strugës. Për çdo informatë që dëshironi të merrni nga komuna jonë, Ju lutemi të
dorëzoni kërkesë me shkrim, te sporteli i komunës, në hyrje të objektit të komunës, dera e parë djathtas, ku sportelistët do tju
japin formular të gatshëm dhe ju do të mund të shënoni te fletëkërkesa
se çfarë informacioni dëshironi të merrni nga komuna.
Të jeni të bindur se informacionin e kërkuar do ta merrni, por pasi të
respektohen rregullat ligjore nga ana juaj (duke dorëzuar kërkesë me
shkrim te sporteli dhe jo përmes emaileve, të cilat nuk mund të
arkivohen ashtu siç arkivohen me numër protokoli kërkesat e ndryshme
nga persona dhe subjek të ndryshëm, për qëllime të ndryshme).
Pra, vetëm kërkesa e dorëzuar me shkrim në sportel të komunës është
valide dhe pas saj ne mund të procedojmë” – përfundon përgjigja e komunës drejtuar VOX Strugës.

Ndërkohë që komuna pret kërkesë me shkrim, qytetarët dhe rrjedhimisht edhe votues të Ramiz Merkos, për çdo ditë qarkullojnë dhe po rrezikojnë jetën në vendin ku do duhej të ndërtohet rrethrrotullimi. Rruga e prishur, gropat dhe kanalet e hapura përveç se po prishin automjetet e qytetarëve, rrezikojnë edhe jetën e tyre.

Ku është Struga e sigurtë e Ramiz Merkos?

/VOX Struga/