HomeLajme / Вести

Korridori 8 dhe ai 10D, brenda 5 e jo 25 viteve

Marrëveshjen me konzorciumin amerikano-turk “Behtel dhe Enka” – kompani e dëshmuar për ndërtimin e autostradave në rajon, Qeveria e nënshkroi para pesë ditëve, por dyshimet se bëhet fjalë për “marrëveshje të dyshimtë” vazhdojnë. Me qëllim që t’i zbardhin detajet, Ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski dhe Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi para gazetarëve e hapën dokumentacionin.

“Ajo që për ne është e rëndësishme, si shtet dhe si qeveri, është infrastruktura rrugore, Korridoret 8 dhe 10 sa për shpejt të përfundojnë, me çka Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë shteti qendror në pjesën e kryqëzimit të korridoreve rrugore. Është obligimi dhe detyra jonë t’i ndërtojmë këto korridore rrugore për pese dhe jo për 25 ose 30 vite” – deklaroi Bllagoj Boçvarski.

“Ligji për prokurime publike është respektuar deri në fund, pastaj e kemi nënshkruar marrëveshjen me “Behtel dhe Enka”, ku ajo marrëveshje për ne është historike, presim që Korridorin 8 dhe Korridorin 10 t’i ndërtojmë për 4 vite e 7 muaj” – tha Ejup Rustemi.

Pjesa më kontestuese e gjithë pakos është zgjedhja e kompanisë për mbikëqyrje të ndërtimit, për të cilën opozitarja VMRO-DPMNE pretendon pwr lidhje kineze dhe ruse.

“Prokuroria Publike të hapë lëndë për zgjedhjen e mbikëqyrësit dhe me kujdes të madh ta ketë parasysh deklaratën e Sekretarit Shtetëror të SHBA-ve Majk Pompeo i cili paralajmëron për korrupsion” – deklaroi Bojan Stojanoski, VMRO-DPMNE.

Ndërtimi i katër akseve të autostradës me gjatësi 120 kilometra pritet të kushtojë 1 miliardë e 300 mijë euro, para nga buxheti i shtetit. Sindikata e punëtorëve të ndërtimit ka reaguar ashpër se në vend të operativës vendase të ndërtimit për marrëveshje të mëdha infrastrukturore angazhohen kompani të huaja, ndërsa kjo shkakton edhe daljen e parave, në periudhë kur gjendja e punëtorëve të ndërtimit në vend është jashtëzakonisht e rëndë. /KlanMacedonia/